Mijëra të diplomuar shqiptarë pa punë, pavarësisht mungesës së fuqisë punëtore

Papunësia mes personave me arsim të lartë vijon të mbetet një nga paradokset kryesore të tregut të punës në Shqipëri. Edhe pse bizneset ankohen për mungesë punonjësish, mijëra të diplomuar në të gjithë vendin nuk arrijnë të gjejnë punë.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2024 rreth 18.832 persona me arsim të lartë ishin të papunë, nga 22.198 që ishin një vit më parë. Nga këta, 13 mijë janë të moshës 25–64 vjeç.
Të rinjtë vazhdojnë të jenë më të prekurit nga papunësia. Grupi i moshës 15–24 vjeç ka shënuar rritje nga 4.892 në vitin 2023 në 5.266 persona në 2024, duke treguar se hyrja në tregun e punës për të sapodiplomuarit është bërë më e vështirë. Në të kundërt, papunësia në grupmoshën 25–29 vjeç ka rënë ndjeshëm nga 8.498 në 6.770, rënie që lidhet kryesisht me emigrimin e të rinjve.
Edhe për personat 25–54 vjeç, papunësia ka rënë nga 16.353 në 12.989 persona. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se mungesa e perspektivës profesionale dhe pagat e ulëta po e shtyjnë këtë kategori drejt emigrimit.
Një nga arsyet kryesore të papunësisë së të diplomuarve është mospërputhja mes kërkesës së tregut dhe ofertës së universiteteve. Ndërsa sistemet arsimore vazhdojnë të prodhojnë juristë, ekonomistë dhe menaxherë, bizneset kërkojnë më shumë profesionistë teknikë, inxhinierë, IT, si dhe punonjës në bujqësi, turizëm e zanate të specializuara.
Përveç kësaj, pagat e ulëta dhe mungesa e mundësive për avancim në karrierë bëjnë që shumë të diplomuar të pranojnë punë nën nivelin e tyre të kualifikimit ose të kërkojnë mundësi jashtë vendit.
Ekspertët theksojnë se në mungesë të reformave në arsim dhe rritjes së meritokracisë në tregun e punës, Shqipëria rrezikon të humbasë gjithnjë e më shumë kapitalin e vet njerëzor./Monitor



