Sekuestro masive në Francë: Kapen 667 bimë marijuane, arrestohen dy shqiptarë

Një operacion i suksesshëm i oficerëve të doganës në Verdun të Francës ka çuar në sekuestrimin e 667 bimëve marijuane në departamentin Meuse. Lajmi u bë i ditur këtë të premte, më 11 prill, përmes një njoftimi zyrtar për shtyp nga autoritetet doganore franceze.
Sipas njoftimit, bimët ishin të pajisura me sistem ujitjeje dhe furnizim me energji elektrike të lidhur në rrjetin komunal, ndërsa kultivimi zhvillohej në kushte të mbyllura dhe të mirëorganizuara.
Hetimet nisën që në nëntor të vitit të kaluar, kur brigada doganore ndaloi për kontroll një automjet në Ecouviez, ku ndodheshin dy persona. Oficerët kishin nuhatur një erë të fortë bari kanabisi dhe kishin vënë re drita të ngjashme me ato që përdoren për kultivim në ambiente të mbyllura. Pas verifikimit të GPS-it të automjetit, u zbulua një adresë që çoi në një kasolle të braktisur, e cila kishte ndërruar pronësi së fundmi.
Pas disa muajsh hetime, doganierët ndërhynë të mërkurën më 9 prill në një hangar në këtë zonë, ku arrestuan dy persona me kombësi shqiptare. Në këtë vend u zbuluan dy dhoma të kultivimit me gjithsej 460 bimë marijuanë. Më pas, oficerët kontrolluan edhe një apartament në një qytet fqinj, ku sekuestruan edhe 207 bimë të tjera të ndara në tre dhoma të tjera.
Autoritetet franceze kanë nisur procedurat ligjore ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar rrjetin e mundshëm pas kultivimit dhe shpërndarjes së drogës.