Lajme
Kryesore

Costa: Zgjerimi i BE drejt Ballkanit Perëndimor, investim gjeostrategjik për paqen dhe sigurinë

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e ka cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor si një investim të rëndësishëm gjeostrategjik për paqen dhe sigurinë në kontinent.

Në një deklaratë për mediat pas takimit me kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të udhëtojë drejt Luksemburgut për Konferencën e Katërt Ndërqeveritare, Costa vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe theksoi rëndësinë e unitetit evropian në kohë sfidash globale.

“I gëzuar që pres kryeministrin Rama, gjithmonë kënaqësi të flasim e të diskutojmë. Zgjerimi i BE drejt Ballkanit Perëndimor është një investim i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen dhe sigurinë. Është inkurajuese të shohësh progresin e Shqipërisë në këtë drejtim. Hapet sot grupkapitulli i radhës. Është e rëndësishme të jemi bashkë, sepse bashkë jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Europë më të fortë”, u shpreh Costa.

Konferenca e Katërt Ndërqeveritare pritet të shënojë një tjetër hap përpara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku do të diskutohet për avancimin e mëtejshëm të negociatave.

Deri më tani, Shqipëria ka zhvilluar tre konferenca ndërqeveritare:

Konferenca e parë, më 19 korrik 2022 në Bruksel, ku u hap Klasteri 1, që përfshin kapituj kyç mbi drejtësinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën në administratën publike.

Konferenca e dytë, më 15 tetor 2024 në Luksemburg, nën presidencën e Hungarisë, ku u hap një grup-kapitull tjetër i rëndësishëm mbi të drejtat themelore dhe institucionet demokratike.

Konferenca e tretë, më 17 dhjetor 2024 në Bruksel, në nivel ministror, për Klasterin 6: Marrëdhëniet e jashtme, përfshirë kapitujt për politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes.

Konferenca e radhës pritet të rrisë më tej ritmin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button