Kosova
Kryesore

Kosova ende jashtë zonës SEPA: BQK pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjet që pengojnë aplikimin final

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur zyrtarisht pagesat në euro përmes zonës SEPA, ndërsa Kosova mbetet ende jashtë saj. SEPA (Single Euro Payments Area) përfshin aktualisht 41 vende dhe mundëson transfere bankare në euro më të shpejta, më të lira dhe me standarde të unifikuara në gjithë Evropën. Sipas vlerësimeve, anëtarësimi i Kosovës në këtë sistem do t’u kursente qytetarëve dhe bizneseve rreth 55 milionë euro në vit nga tarifat për transferet ndërkombëtare.

Por pse Kosova nuk është ende pjesë e SEPA-s?
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë të ditur për Telegrafin se më 14 tetor 2024 ka realizuar fazën e para-aplikimit dhe ka dorëzuar dokumentacionin përkatës pranë Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian të Pagesave (EPC). Dokumentacioni është përditësuar më 20 dhjetor 2024, pas miratimit në Kuvend të tre ligjeve kyçe:

Ligji 08/L-304 për Banka

Ligji 08/L-328 për Shërbime të Pagesave

Ligji 08/L-333 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit

BQK ka dorëzuar gjithashtu 20 rregullore që burojnë nga këto ligje, duke plotësuar kërkesat ligjore dhe teknike për anëtarësim në SEPA. Komisioni Evropian ka pranuar dokumentacionin dhe ka dhënë disa komente teknike, por aplikimi final nuk mund të bëhet pa hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve.

Sipas BQK-së, procesi është bllokuar pasi ligjet ndodhen aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, jo për përmbajtjen e tyre, por për çështje procedurale të miratimit në Kuvend.
“Pritja për hyrjen në fuqi të ligjeve mbetet një hap kyç për përmbylljen e aplikimit dhe vlerësimit final nga Komisioni Evropian dhe EPC,” thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Institucioni shton se sapo të zgjidhet çështja në Gjykatën Kushtetuese, është i gatshëm të dorëzojë aplikimin përfundimtar dhe pret që gjatë vitit 2026 Kosova të mund të pranohet në SEPA, pas përshtatjeve teknike të sistemit bankar.

Ndërkohë, çështja ka shkaktuar edhe përplasje politike. Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për bllokimin e anëtarësimit në SEPA, duke thënë se ligjet e nevojshme janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja.
“Pyetni Uran Ismailin pse e kanë blloku Kosovën në SEPA,” ka shkruar Murati në Facebook.

Në anën tjetër, Arben Mustafa nga PDK ka reaguar ashpër, duke e akuzuar ministrin për keqqeverisje.
“Ministri që e ka vendosë Kosovën nën sanksione të BE-së e që në çdo hap e ka shkelë Kushtetutën, po flet për SEPA-n,” ka shkruar Mustafa.

Për momentin, Kosova mbetet në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, nga i cili varet edhe përfshirja e saj në një nga sistemet më të avancuara të pagesave evropiane.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button