Lajme

Shqipëria çel kapitullin e dytë të negociatave me BE-në: Rama merr pjesë në Konferencën Ndërqeveritare në Luksemburg

Shqipëria çel sot kapitullin e dytë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, me grupkapitullin “Tregu i Brendshëm”, gjatë Konferencës së katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila do të mbahet në Luksemburg.

Delegacioni shqiptar në këto bisedime do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të punës për kapitujt përkatës të negociatave.

Përpara udhëtimit drejt Luksemburgut, Rama do të ndalet në Bruksel, ku do të pritet në një takim kokë më kokë nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa. Më pas, ai do të udhëtojë drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në konferencën e rëndësishme ndërqeveritare.

Në nisje të Konferencës, Kryeministri Rama do të mbajë fjalën hapëse në emër të Shqipërisë, ndërsa në emër të BE-së do të flasë Radosław Sikorski, Ministri i Jashtëm i Polonisë, vendi që aktualisht mban Presidencën e Këshillit të BE-së.

Në përfundim të Konferencës, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp ku do të marrin pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button