Lajme
Kryesore

Shqipëria zhvillon konferencën e katërt ndërqeveritare në Luksemburg, në fokus integrimi në BE

Shqipëria zhvillon sot në Luksemburg konferencën e katërt ndërqeveritare me Bashkimin Europian, një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit në familjen europiane. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa në fokus do të jenë dy grup-kapituj kyç: tregu i brendshëm dhe konkurrenca.

Konferenca e sotme synon të avancojë më tej negociatat e anëtarësimit, duke trajtuar fusha thelbësore për përputhjen me acquis communautaire të BE-së. Diskutimet do të përqendrohen në përafrimin e legjislacionit dhe përmirësimin e standardeve në fushat që ndihmojnë në forcimin e ekonomisë së tregut dhe klimës konkurruese në vend.

Deri më tani, Shqipëria ka zhvilluar tre konferenca ndërqeveritare. E para u mbajt më 19 korrik 2022 në Bruksel, ku u hapën negociatat për Klasterin 1, që përfshin kapituj të rëndësishëm si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma në administratën publike.

Konferenca e dytë u zhvillua më 15 tetor 2024 në Luksemburg dhe përqendroi vëmendjen te të drejtat themelore, me fokus në sistemin e drejtësisë dhe institucionet demokratike, pas konstatimit se Shqipëria kishte përmbushur kushtet për hapjen e këtij grup-kapitulli.

Ndërsa konferenca e tretë, më 17 dhjetor 2024 në Bruksel, hapi negociatat për Klasterin 6, që përfshin marrëdhëniet e jashtme dhe politikat e sigurisë e mbrojtjes.

Konferenca e katërt e sotme pritet të japë një shtysë të re në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve shqiptare për të përmbushur reformat e nevojshme në përputhje me standardet europiane.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button