Osmani ia kujton Vuçiqit: “Kosova asnjëherë nuk e ka sulmuar askënd, gjithmonë vetëm është mbrojtur”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të samitit të Brdo-Brijunit që po mbahet në Shqipëri, ka reaguar ndaj qëndrimeve dhe deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Ajo tha se Vuçiq, sikurse në takimet e kaluara, edhe këtë herë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me qëllim për ta prishur atmosferën e takimit.
“Sikurse dhe në takimet e tjera të Brdo-Brijunit, ndoshta me një dozë më të madhe, Vuçiqi i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me tentimin që ta prishte takimin. Por, arritëm në fund që ta miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se Kosova kishte argumentet e fuqishme të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës së saj si shtet sovran.
“Me çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, të mbështetura nga e drejta ndërkombëtare dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, shtoi ajo.
Sa i përket ankesave të Vuçiqit për marrëveshjen e përbashkët Kosovë–Shqipëri–Kroaci në fushën e mbrojtjes, Osmani tha se ky pakt ka për qëllim vetëm forcimin e bashkëpunimit dhe mbrojtjes.
“Përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb, ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar e as pushtuar askënd, mirëpo gjithnjë e kemi mbrojtur dhe do ta mbrojmë veten dhe integritetin territorial,” theksoi ajo.
Në përmbyllje, Osmani nënvizoi se Kosova është pro bashkëpunimit rajonal, por gjithmonë duke mbrojtur interesin shtetëror, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.



