Policia e Ferizajt nis fushatën “Duart në timon, jo në telefon”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur sot fushatën vetëdijësuese me moton “Duart në timon, jo në telefon”, që synon ngritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që shkakton përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.
Kjo iniciativë po realizohet nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në bashkëpunim me stacionet policore vartëse në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han i Elezit, me mbështetjen e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”.
Sipas njoftimit të Policisë, fushata është konceptuar nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e DRP-Ferizaj, me qëllim përcjelljen e një mesazhi të qartë dhe sensibilizues për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion:
“Një sekondë në telefon mund të jetë shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon.”
Në kuadër të fushatës do të organizohen aktivitete të ndryshme, si shpërndarja e fletëpalosjeve informuese, vendosja e posterëve në rrugë dhe sheshe publike, si dhe ligjërata vetëdijësuese në shkollat e rajonit të Ferizajt.
Faza e parë e projektit, që do të zgjasë deri më 12 tetor 2025, do të ketë karakter parandalues dhe edukativ. Ndërkaq, nga 13 tetori 2025, Policia e Kosovës do të fillojë zbatimin e masave ndëshkuese ndaj të gjithë drejtuesve të automjeteve që shkelin ligjin dhe rrezikojnë sigurinë në trafik.



