James Rubin: Gjyqtarët në Hagë dukeshin të anshëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Ish-diplomati amerikan, James Rubin, në një intervistë me gazetaren e njohur Christine Amanpour ka folur për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur shqetësim për qasjen e trupit gjykues.
Rubin ka thënë se gjatë dëshmisë së tij ka vënë re pyetje të njëanshme nga disa prej gjyqtarëve, të cilët, sipas tij, dukeshin sikur tashmë e kishin marrë vendimin për strukturën e organizuar të UÇK-së dhe rolin udhëheqës të Hashim Thaçit.
“Gjyqtarët, për befasinë time, më bënin pyetje që më dukën tepër të anshme. Nuk tingëllonin si pyetje që kërkonin të gjenin fakte. Prokuroria duhet ta shtrojë akuzën e saj, mbrojtja ta shtrojë mbrojtjen e saj. Gjyqtarët supozohet që thjesht duhet të mbledhin evidencë në mënyrë që të bëjnë gjykimin më pas”, u shpreh Rubin.
Ai shtoi se krijoi përshtypjen sikur gjyqtarët tashmë e kishin vendosur që UÇK-ja funksiononte si një organizatë e mirëfilltë me Thaçin në krye – një gjë që, sipas tij, “nuk është e vërtetë”.



