
Në A2 CNN, ministri i Jashtëm, Igli Hasani iu përgjigj pyetjeve me rëndësi në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Ai pohoi se për rreth dy vite ka pasur bisedime e negociata midis Tiranës dhe Athinës zyrtare, të cilat bënë të mundur edhe dhënien e dritës jeshile për çeljen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
“Jemi dhe vazhdojmë dhe do të vazhdojmë të jemi në komunikim të vazhdueshëm me Athinën. Marrëdhënia shqiptaro-greke është një nga marrëdhëniet më thelbësore që krijon dinamika shumë të rëndësishme në rajon. Fqinjin asnjëherë nuk e zgjedhim dhe është e rëndësishme që fqinjin ta trajtojmë në mënyrën e duhur dhe trajtimi është në përballje, në negociata dhe në bashkëbisedim për të arritur përmbushjen e atyre kërkesave që të dy palët kanë nevojë për të ecur përpara. Ka qenë një përpjekjeje shumë e mirë që ne të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin në këtë 1 vit e gjysmë. Gjë që solli edhe dritën jeshile për çeljen e negociatave teknike dhe do të punojmë që këtë angazhim ta kemi kaq të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë edhe me vizita të nivelit të lartë”, tha Hasani në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Sa i përket thirrjeve të kryeministrit Edi Rama nga Athina, Selaniku dhe Kreta për heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë, Hasani konfirmoi se po punohet në këtë drejtim.
“Deklaratat elektorale janë deklarata. Ato janë deklarata publike, të cilat përbejnë pjesën evidente të punës që bën administrata shqiptare, diplomacia shqiptare për të vazhduar për të mbyllur të gjitha to çështje që janë të hapura, kërkojnë trajtim dhe kërkojnë negociata, në një bisedë të tillë është ë e nevojshme që të dy palët të shkojnë në një pikë të përbashkët dhe unë jam i bindur që ne jemi në gjendje të arrijmë pika të përbashkëta me të gjithë partnerët tanë, përfshirë edhe Greqinë”, deklaroi ministri i Jashtëm në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.