Lajme

Ambasada Amerikane në Tiranë: Shërbimet konsullore për vizat vijojnë sipas mundësive, pavarësisht mbylljes së qeverisë federale në SHBA

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka njoftuar se shërbimet konsullore për pasaporta dhe viza do të vazhdojnë të ofrohen, sipas mundësive, pavarësisht mbylljes së qeverisë federale amerikane.

Në një reagim të publikuar në Facebook, ambasada sqaroi se përditësimet në rrjetet sociale do të jenë të kufizuara, me përjashtim të rasteve urgjente që lidhen me çështjet e sigurisë. “Për shkak të vonesës në miratimin e fondeve buxhetore, kjo llogari në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht – me përjashtim të informacioneve urgjente për çështjet e sigurisë – derisa të rinisë veprimtaria e rregullt,” thuhet në njoftim.

Ambasada njofton gjithashtu se, duke filluar nga 1 tetori 2025, vetëm vizat B1/B2 që janë ende të vlefshme ose që kanë skaduar brenda 12 muajve të fundit mund të rinovohen përmes postës. Për të gjitha llojet e tjera të vizave, me përjashtim të udhëtimeve të caktuara qeveritare, do të kërkohet një takim për intervistë.

Aplikantët për vizë inkurajohen të vizitojnë faqen e ambasadës dhe travel.state.gov për informacion të detajuar mbi procedurat dhe statusin operacional.

Ndërkohë, për herë të parë në shtatë vite, qeveria federale amerikane është futur në një mbyllje administrative, pas dështimit të Kongresit për të miratuar një projektbuxhet të përkohshëm. Përplasjet mes republikanëve të mbështetur nga Donald Trump dhe demokratëve kanë bllokuar kompromisin, duke shkaktuar pasiguri për miliona punonjës federalë që përballen me pezullime dhe vonesa pagash.

Në këtë situatë, tensionet janë rritur edhe në sektorin e mbrojtjes, ku Departamenti i Luftës ka paralajmëruar reforma të thella, ndërsa sindikatat kanë ngritur padi ndaj administratës për keqpërdorim të ligjit mbi mbylljet qeveritare.

Kriza buxhetore pritet të thellohet në ditët në vijim, ndërsa mungesa e një marrëveshjeje politike mbetet e dukshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button