Sport

Rahoveci i detyruar të luajë në Luksemburg për shkak të zgjedhjeve

Si zakonisht, palestrat sportive në Kosovë, në kohën e zgjedhjeve nacionale apo lokale, shndërrohen në qendra të votimit krahas shkollave. Një situatë e tillë ka prekur edhe klubin e hendbollit Rahoveci, i cili tashmë është i detyruar që ndeshjet ndërkombëtare t’i zhvillojë jashtë vendit.

Klubi ka bërë të ditur sot se të dyja përballjet me ekipin nga Luksemburgu, Dudelange, në kuadër të garave evropiane do të luhen në Luksemburg. Shkak për këtë është fakti se nga nesër palestra sportive “Mizahir Isma” në Rahovec do të kalojë në menaxhim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për t’u shfrytëzuar si qendër votimi në zgjedhjet lokale që po afrojnë.

“Për shkak të rrethanave të krijuara, të dyja ndeshjet kundër Dudelange do të zhvillohen në Luksemburg. Palestra jonë kalon në menaxhim të KQZ-së dhe nuk kemi mundësi të luajmë aty,” thuhet në njoftimin e klubit.

Kësisoj, Rahoveci humbet avantazhin e fushës, por klubi shprehet i përkushtuar që të përfaqësojë me dinjitet hendbollin kosovar në arenën ndërkombëtare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button