PSG përgatit merkaton e dimrit: tre përforcime kyçe në listën e Luis Enrique

Paris Saint-Germain ka nisur tashmë përgatitjet për merkaton e dimrit, me synimin për të shtuar tre përforcime të rëndësishme që trajneri Luis Enrique i sheh si thelbësore për të ruajtur ambiciet në Ligën e Kampionëve.
Sipas raporteve, prioriteti kryesor është transferimi i një sulmuesi të djathtë që luan me këmbën e majtë, profil që do t’i jepte më shumë fleksibilitet ofensiv skuadrës pariziene. Aktualisht në atë rol është Désiré Doué, por stafi teknik vlerëson se nuk mjafton, sidomos në rast dëmtimesh apo rënieje forme.
Një tjetër objektiv është qendërmbrojtësi. Me Marquinhos, Pacho dhe Zabarnyi që mbulojnë prapavijën, PSG kërkon më shumë rotacion për shkak të kalendarit të ngjeshur dhe ngarkesës fizike.
Po ashtu, klubi po shqyrton afrimin e një mesfushori që mund të futet menjëherë në formacionin bazë, për të rivalizuar me Vitinha, Joao Neves dhe Fabián Ruiz. Luis Enrique dëshiron një lojtar që të sjellë energji të re dhe zgjidhje në momentet vendimtare.
Dëmtimet e fundit të Joao Neves, Doué dhe Dembélé kanë nxjerrë në pah mungesën e thellësisë në disa reparte, duke e bërë të domosdoshme lëvizjen në merkato.
PSG ka bërë të qartë se nuk do të transferojë vetëm për numra, por do të veprojë vetëm nëse shfaqen mundësi reale për lojtarë vendimtarë. Pas një vere me mbi 100 milionë euro të shpenzuara për Lucas Chevalier dhe Ilya Zabarnyi, këtë dimër priten lëvizje strategjike që mund të përcaktojnë fatin e skuadrës në garat madhore.
Tre përforcimet që kërkon Enrique: sulmues i djathtë me këmbë të majtë, qendërmbrojtës dhe mesfushor rotacioni.
Drejtuesit e PSG-së janë tashmë aktivë në treg dhe mbetet për t’u parë nëse këto plane do të kthehen në realitet.



