Grabitje luksoze në shtëpinë e trajnerit të Portugalisë, Roberto Martinez

Një bandë hajdutësh ka hyrë me forcë në shtëpinë e trajnerit të ekipit kombëtar të Portugalisë, Roberto Martinez, duke vjedhur ora dhe bizhuteri luksoze me vlerë rreth 800 mijë euro.
Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite, ndërsa trajneri dhe partnerja e tij ishin jashtë pronës. Sipas autoriteteve, hajdutët dyshohet se hynë përmes një dritareje dhe kontrolluan çdo dhomë për sende me vlerë, duke vepruar me bindjen se kishin mjaftueshëm kohë për të kryer grabitjen pa u kapur.
Policia e Forcave të Sigurisë Publike (PSP) në Portugali po heton rastin dhe nuk përjashton mundësinë që ajo të jetë kryer nga një bandë e huaj e specializuar në vjedhje pronash të nivelit të lartë.
Roberto Martinez udhëhoqi ekipin portugez drejt titullit të Ligës së Kombeve për sezonin 2024-25. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe rikuperimin e sendeve të vjedhura.



