Kosova

AKB: 75% e ndërtimeve pa leje, mbi 180 mijë banesa bosh – kërkohet orientim i kapitalit të diasporës drejt prodhimit

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen kaotike në sektorin e ndërtimit, duke theksuar se mbi 75% e ndërtimeve në vend janë pa leje banimi. Sipas të dhënave, mbi 180 mijë banesa mbesin bosh – shumica të blera nga diaspora, por që nuk shfrytëzohen.

“Po ndërtojmë qytete të zbrazëta, me banesa të pashfrytëzuara, ndërsa rinia largohet çdo ditë,” thekson AKB në reagimin e saj.

Organizata vlerëson se ky trend dëshmon mungesë të politikave zhvillimore dhe planifikimit urban. Kapitali i diasporës, që sipas AKB-së duhej të ishte motor i ekonomisë, po shkon në pasuri të paluajtshme të zbrazëta, në vend se të investohej në prodhim, eksporte dhe hapje të vendeve të punës.

Kjo prirje, sipas AKB-së, rrezikon të shkaktojë tronditje financiare dhe të dëmtojë mirëqenien afatgjatë të qytetarëve.

Për këtë arsye, AKB kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa urgjentë për legalizim transparent të ndërtimeve, vendosje të rregullit dhe orientim të kapitalit të diasporës drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

“Vetëm kështu krijohen vende të reja pune, forcohet eksporti dhe sigurohet një e ardhme më e qëndrueshme për vendin,” u shpreh kryetari i AKB-së, Agim Shahini, duke apeluar për vizion dhe përgjegjësi në politikat zhvillimore të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button