Kosova

Diplomati britanik tregon çfarë pa në Kosovë më 1999

Diplomati britanik, John Stewart Duncan, ka dëshmuar sot në Dhomat e Specializuara në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I pyetur nga trupi gjykues, ai konfirmoi se kishte vizituar Kosovën disa herë gjatë vitit 1999, përfshirë edhe muajin gusht. Duncan rrëfeu se në vizitën e tij të parë kishte parë nga afër pasojat e luftës dhe shkatërrimet që kishin pësuar shtëpitë dhe bagëtitë.

“E tmerrshme ishte ajo që pashë, tronditëse. Pamë shtëpi të djegura, dëme të mëdha në prona dhe kafshë. Mund të shihnim edhe shtëpi të serbëve që po digjeshin, të paktën gjashtë, njëra prej tyre rreth 100 metra nga vendi ku u ul helikopteri. Ky nuk ishte shkatërrim nga bombardimet, e di çfarë pasoja lënë ato, por një shkatërrim tjetër, i bërë nga njerëzit,” tha Duncan.

Ai theksoi se dhuna në Kosovë kishte filluar nga forcat serbe.
“Për mizoritë që kanë kryer serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës – dhuna fillimisht ishte e ushtruar prej tyre. Ndoshta dhuna që pashë gjatë vizitës sime po bëhej nga shqiptarët, por ajo kishte nisur më parë nga serbët,” u shpreh diplomati britanik.

I pyetur nëse kishte parë ndonjë pjesëtar të UÇK-së të kryente krime apo vepra penale, Duncan mohoi kategorikisht një gjë të tillë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button