Bota

Milano dhe Liguria përballen me përmbytje e rrëshqitje dheu pas reshjeve të dendura

Ardhja e vjeshtës ka sjellë një valë të fuqishme moti të keq në veri të Italisë, duke goditur veçanërisht rajonet e Lombardisë dhe Ligurias. Autoritetet lëshuan një alarm portokalli të dielën, pasi reshjet e rrëmbyeshme shkaktuan përmbytje dhe dëme të shumta.

Në Milano, shiu i pandërprerë që nga nata e kaluar ka sjellë mbi 30 milimetra reshje në pjesën veriore të qytetit, ndërsa në Paderno Dugnano janë regjistruar mbi 80 milimetra. Si pasojë, lumi Seveso doli nga shtrati duke përmbytur disa lagje, ndërsa edhe lumi Lambro është në nivele alarmante. Në Via Vittorini, një nga qendrat kryesore të trafikut, uji doli nga pusetat duke detyruar autoritetet të instalojnë barriera kundër përmbytjeve për mbrojtjen e shtëpive.

Edhe Lugina e Bormidës është goditur rëndë, me rrëshqitje dheu dhe përmbytje që detyruan mbylljen e shkollave pothuajse në të gjithë Ligurian, me përjashtim të Imperias.

Stuhia preku edhe Pallatin e Drejtësisë në Milano, ku uji u grumbullua në dysheme duke ndërprerë energjinë elektrike për arsye sigurie dhe duke pezulluar aktivitetin brenda zyrave.

“U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal,” deklaroi Marco Granelli, këshilltar i Mbrojtjes Civile të Milanos.

Zjarrfikësit raportojnë se vetëm që nga mëngjesi i së dielës janë përgjigjur mbi 70 thirrjeve emergjente në të gjithë rajonin, duke punuar për të menaxhuar përmbytjet dhe për të siguruar zonat e prekura.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button