Dëshmia e diplomatit britanik në Hagë: Komandantët e UÇK-së “si në filmat e Rambos”

Diplomati britanik John Stewart Duncan po dëshmon në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke mbrojtur ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai foli për procesin e demilitarizimit të UÇK-së pas luftës dhe takimet me komandantët lokalë.
Duncan, ish-këshilltar politik i komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, tha se kishte marrë pjesë në diskutime me komandantët e zonave, siç ishte njoftuar edhe nga ish-komandanti i përgjithshëm Agim Çeku. Gjatë dëshmisë, atij iu shfaq një video e 17 qershorit 1999 nga takimet me komandantët e UÇK-së.
“Isin me veshje ushtarake. Më kujtohet era, u vinte era luftë, era barut, era tym. Është një nga momentet që më kanë lënë mbresa të mëdha,” tha Duncan. Ai përshkroi takimin si “konstruktiv” dhe “frytdhënës”, por theksoi se komandantët “hezitonin shumë” të dorëzonin armët, duke theksuar dëshirën e tyre për të ruajtur nderin para popullit.
Për ish-komandantin e UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, Duncan tha se ishte “si në filmat e Rambos”. “Mbaj mend që kishte një emblemë në krah, të binte në sy si personazh. Fliste goxha dhe i dëgjohej zëri shpesh,” tregoi ai.
Diplomati britanik ishte gjithashtu hartues i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, duke luajtur një rol kyç në tranzicionin e forcave çlirimtare drejt paqes pas luftës.



