Kombëtarja e Kosovës U19 nis përgatitjet për ndeshjet ndaj Malit të Zi dhe sfidat e nëntorit

Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave ka nisur grumbullimin e shtatorit si pjesë e përgatitjeve për ndeshjet miqësore me Malin e Zi, që do të zhvillohen në fund të tetorit, si dhe për kualifikueset e Ligës A për Kampionatin Evropian, të cilat e presin në nëntor.
Në kuadër të kësaj faze, Dardanet U19 do të përballen edhe me Kombëtaren A të Kosovës, në një ndeshje testuese që do të zhvillohet të enjten në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Përzgjedhësja Albina Rrahmani u shpreh e kënaqur me këtë grumbullim, duke e cilësuar si një mundësi të rëndësishme për të parë nga afër gjendjen e lojtareve.
“Ky është një kamp shumë i mirëseardhur, edhe pse është jashtë datave të UEFA-s e FIFA-s. Falë bashkëpunimit me Kombëtaren A do të zhvillojmë një ndeshje testuese që do të na ndihmojë të shohim potencialin e vajzave, ndërkohë që kjo ndeshje i shërben edhe ekipit A. Në nëntor na presin kundërshtarë shumë të fortë si Portugalia, Danimarka dhe Islanda, por jemi duke u munduar t’i përgatisim vajzat sa më mirë”, tha Rrahmani.
Ndërkohë, futbollistja Olsa Maqastena theksoi atmosferën pozitive në skuadër dhe gatishmërinë e ekipit për sfidat e ardhshme.
“Jemi një grup i mirë dhe kemi pritur me kënaqësi disa vajza që i janë bashkuar nga jashtë. Atmosfera është në nivel dhe stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Miqësoret e tetorit ndaj Malit të Zi do të na ndihmojnë për kualifikueset e nëntorit, ku na presin kundërshtarë të fortë, por ne jemi gati”, tha Maqastena.



