Bizneset në Kosovë përballen me sfida të paprecedenta, thotë kryetari i Odës Ekonomike

Bizneset në Kosovë po përballen me sfida që, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, nuk kanë ekzistuar që nga paslufta.
“Biznesi është duke u përballur me një sfidë si asnjëherë më parë që nga paslufta, sepse kemi kaluar në faza të ndryshme të tranzicionit. Edhe kërkesat e biznesit kanë qenë të ndryshme, por kësaj radhe sfidat janë shumë, shumë të mëdha”, u shpreh Rafuna për “Betimi për Drejtësi”.
Ai theksoi se problemet fillojnë nga mungesa e reformave nga ekzekutivi dhe institucionet e vendit. “Është viti i shtatë që nuk ka asnjë reformë në politikat fiskale. Sistemi i arsimit poashtu nuk ka pësuar reforma që lidhen me nevojat e tregut”, shtoi ai.
Sipas Rafunës, mungesa e sundimit të ligjit dhe vonesat në zgjidhjen e çështjeve ligjore po e vështirësojnë më tej funksionimin e biznesit. Ai përmendi gjithashtu sfidat e energjisë elektrike dhe ndikimin negativ që kanë deklaratat e papërshtatshme të udhëheqësve institucionalë mbi investitorët e huaj.
“Po sulmohemi, po bëhet luftë, sanksionet e Bashkimit Evropian, prishja e raporteve me partnerët strategjikë – të gjitha këto jo vetëm që i trembin investitorët e huaj, por edhe ata vendorë që duan ta zgjerojnë investimin jashtë Kosovës”, tha Rafuna.
Ai përfundoi duke theksuar se biznesi po përballet me sfida që nuk janë parë në 25 vitet e fundit.



