Lajme

Eksperti IT paralajmëron gabime nga “ministrja” AI Diella te tenderat

Besmir Semanaj, ekspert i teknologjisë së informacionit, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me vendimet që mund të marrë ministrja e re e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, Diella. Në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” në A2 CNN, Semanaj u shpreh se gabimet te tenderat janë të pashmangshme.

“Që Diella do të gabojë me tenderat është e sigurtë, pasi edhe Open AI ka gabime. Ka gjyqe që po hapen kundër Open AI sepse mund të dërgojë njerëz deri në vetëvrasje. Imagjino tani një agjent AI shqiptar, i trajnuar dhe i trajtuar me të dhënat që shteti shqiptar aktualisht ka, të marrë vendime politike. Inteligjenca Artificiale është një mjet shumë i rëndësishëm për të minimizuar korrupsionin nëse përdoret siç duhet, por nuk është një mjet që mund të marrë vendime politike”, tha Semanaj.

Eksperti theksoi se roli i Diellës duhet të jetë vetëm mbështetës, jo vendimmarrës: “Vetë pozicioni i ministrit është për të marrë vendime politike. Diella është më shumë një agjente që do të ndihmojë ata që do të merren me procedurat apo tenderat. Do ishte më mirë që Edi Rama të mos e prezantonte si ministre sepse të vjen edhe keq për ministrat që dje u bënë për herë të parë, sepse askush nuk po merret me ta, por po merren me Diellën”, shtoi eksperti IT.

Semanaj paralajmëron se përdorimi i inteligjencës artificiale në qeverisje duhet të shoqërohet me kujdes të madh dhe mbikëqyrje njerëzore për të shmangur gabimet dhe keqpërdorimet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button