Gushti 2025, muaji i tretë më i nxehtë i regjistruar në botë

Gushti i vitit 2025 është regjistruar si muaji i tretë më i nxehtë në botë, duke sjellë valë të nxehta dhe zjarre pyjore sidomos në Evropën Jugperëndimore, raporton Anadolu.
Sipas të dhënave të publikuara nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S), temperatura mesatare globale e sipërfaqes tokësore dhe detare gjatë gushtit ishte 16.6°C, që është 0.49°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020 dhe 1.29°C mbi nivelin para-industrial. Ky muaj ishte 0.22°C më i ftohtë se gushtet rekord të viteve 2023 dhe 2024.
Në Evropë, temperatura mesatare e tokës u mat 19.46°C, duke qenë 0.3°C më e lartë se mesatarja afatgjatë. Valët më të mëdha të nxehtësisë u shënuan në Gadishullin Iberik dhe Francën jugperëndimore, të shoqëruara edhe me zjarre të fuqishme pyjore. Jashtë Evropës, temperaturat më të larta mbi mesataren u regjistruan në Siberi, Antarktidë, Kinë, Gadishullin Korean, Japoni dhe Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, temperatura mesatare e sipërfaqes së detit arriti në 20.82°C, duke u renditur si e treta më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Zëvendësdrejtoresha e C3S, Samantha Burgess, theksoi se Evropa Jugperëndimore përjetoi valën e tretë të madhe të të nxehtit gjatë kësaj vere, duke paralajmëruar për pasojat e ngrohjes së pazakontë të oqeaneve. Ajo kërkoi ulje urgjente të emetimeve dhe masa përshtatëse ndaj ngjarjeve ekstreme klimatike.