KQZ hap regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e regjistrimit të votuesve me nevoja të veçanta dhe në rrethana të veçanta, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale.
Për të lehtësuar procesin, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike https://vpnv.kqz-ks.org
, e cila do të jetë në dispozicion të qytetarëve deri më 7 tetor 2025.
Sipas njoftimit, KQZ do të angazhojë ekipe mobile në të gjitha komunat e Kosovës në ditën e zgjedhjeve, për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe.
Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta (7 shtator – 7 tetor 2025)
Kjo kategori përfshin votues me zotësi juridike që, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore apo tjetër, nuk mund të dalin në vendvotime. Regjistrimi mund të bëhet online përmes platformës ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve.
Regjistrimi i votuesve në rrethana të veçanta (7 shtator – 7 tetor 2025)
Në këtë kategori përfshihen votuesit që nuk mund të votojnë për shkaqe sigurie, si dhe ata nën masën e arrestit shtëpiak. Procesi i regjistrimit bëhet online ose me asistimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa për qytetarët nën arrest shtëpiak, evidentimin e bën KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Regjistrimi i votuesve me lëvizje të kufizuar në institucione (15 shtator – 2 tetor 2025)
Kjo kategori përfshin votuesit në hospitalizim, të moshuarit në shtëpitë për të moshuar, personat në trajtim në institucionet e shëndetit mendor, si dhe të burgosurit dhe të paraburgosurit. Regjistrimi bëhet përmes evidentimit nga institucionet përkatëse, por edhe individualisht online për ata që gjenden në spitale, shtëpi të të moshuarve apo strehimore për viktimat e dhunës.
KQZ u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që i takojnë këtyre kategorive të shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’u regjistruar dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për votë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.