Kosova rikthehet sonte në aksion, përballet me Suedinë në ‘Fadil Vokrri’

Kombëtarja e Kosovës në futboll rikthehet sonte në fushë, ku do të përballet me Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Dardanët vijnë në këtë sfidë pas humbjes 4:0 në udhëtim ndaj Zvicrës, por atmosfera brenda skuadrës mbetet pozitive dhe premtuese për një paraqitje më të mirë.
Kosova do të jetë e hendikepuar edhe në këtë takim, pasi nuk do të ketë në dispozicion tre prej lojtarëve kryesorë: Edon Zhegrovën, Milot Rashicën dhe kapitenin Amir Rrahmani, i cili u lëndua në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Përzgjedhësi Franco Foda, në konferencën e fundit për media, u shpreh i bindur se skuadra do të tregojë një fytyrë tjetër krahasuar me duelin e kaluar.
“Ne kemi analizuar të gjitha gabimet në ndeshjen me Zvicrën. Jam i bindur që kundër Suedisë do të luajmë shumë më mirë. Jemi në shtëpi dhe do të përpiqemi t’i kënaqim shikuesit. Është e qartë që Suedia është favorite, por për mua është e rëndësishme që ne të bëjmë një tjetër ndeshje”, tha trajneri gjerman.
Sfida mes Kosovës dhe Suedisë nis në orën 20:45 në Prishtinë.