Shehu dhe Daku optimistë para sfidës Shqipëri – Letoni: “Objektivi janë tre pikët”

Juljan Shehu dhe Mirlind Daku u shfaqën sot në konferencën për media nga stadiumi “Air Albania”, në prag të sfidës së rëndësishme të kualifikuesve të Botërorit 2026 ndaj Letonisë.
Të dy futbollistët kuqezi theksuan se objektivi i vetëm është fitorja dhe marrja e tre pikëve, ndërsa komentuan edhe ndeshjen miqësore të fituar 0-1 ndaj Gjibraltarit.
Juljan Shehu u shpreh se miqësorja ndaj Gjibraltarit shërbeu për të testuar lojtarët e rinj dhe skema të ndryshme loje, duke e cilësuar ndeshjen si pozitive. Ai theksoi se atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe se të gjithë janë të fokusuar për të mposhtur Letoninë.
“Ndeshja e ardhshme është më e rëndësishmja. Kemi entuziazëm dhe duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Objektivi është të marrim tre pikët”, – tha mesfushori.
Ndërsa i pyetur pse nuk shënon te kombëtarja ashtu si në klub, Shehu u përgjigj se kjo lidhet me rolin e tij në fushë:
“Në klub ndonjëherë luaj më përpara, kurse te kombëtarja jam mesfushor difensiv. Detyra ime është të bëj më të mirën aty ku më vendos trajneri.”
Nga ana tjetër, Mirlind Daku theksoi rëndësinë e ndeshjes ndaj Letonisë, duke kujtuar se sfida e parë mes dy ekipeve kishte prodhuar shumë raste për kuqezinjtë, por me mungesë përqendrimi në finalizim.
“Shpresoj që në këtë ndeshje të fitojmë, pasi kemi mësuar nga gabimet e së kaluarës. Duhet të japim maksimumin dhe të luftojmë deri në fund për qëllimet tona”, – tha sulmuesi.
Daku u ndal edhe te paraqitja e skuadrës deri më tani në kualifikuese, duke theksuar se vetëm ndaj Anglisë ekipi nuk ka dominuar, ndërsa beson se me punë dhe sakrificë Shqipëria mund ta realizojë ëndrrën e Botërorit.
Kombëtarja kuqezi do të përballet me Letoninë të martën, në ora 20:45, në stadiumin “Air Albania”, në një ndeshje vendimtare për vazhdimësinë e rrugëtimit drejt Kupës së Botës 2026.