Sherri në Lezhë – Arrestohen edhe dy autorë të përfshirë në konfliktin e 11 prillit

Policia e Lezhës ka vënë në pranga edhe dy nga autorët e përfshirë në sherrin e ndodhur më 11 prill në qytet. Në kuadër të hetimeve intensive, janë arrestuar Redian Margjonaj, 20 vjeç, dhe një 15-vjeçar me inicialet A.D., të cilët ishin shpallur në kërkim prej ditës së djeshme.
Të dy shtetasit dyshohen për kryerjen e veprave penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe një tjetër 15-vjeçar, shtetasin G.P., banues në Lezhë, i cili rezulton i përfshirë në konflikt.
Kjo ngjarje ka sjellë më herët arrestimin e dy personave të tjerë, përkatësisht Fatjon Gjini dhe Ervin Nika. Aktualisht, mbeten në kërkim edhe tre persona të tjerë të përfshirë në përleshje.
Çfarë ndodhi?
Sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Lezhës, rreth mesditës së 11 prillit, në qytet ka ndodhur një përplasje fizike midis disa të rinjve. Fillimisht, shtetasit Fatjon Gjini dhe Ervin Nika kanë goditur me mjete të forta Redian Margjonajn. Si kundërpërgjigje, Margjonaj së bashku me shokët e tij kanë goditur me automjet Fatjon Gjinën, për ta sulmuar më pas sërish me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes vijojnë intensivisht, ndërsa puna për kapjen e personave ende në kërkim është në proces.