Kombëtarja shqiptare nis përgatitjet për ndeshjet ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë

Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e djeshme stërvitjen e parë në kuadër të grumbullimit për ndeshjet ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Sylvinho realizoi ushtrime aktivizuese dhe skema tekniko-taktike, me 20 lojtarë të pranishëm që stërvitën rregullisht.
Rey Manaj, Mirlind Daku dhe Arlind Ajeti iu bashkuan grupit më vonë gjatë pasdites. Nga dita e sotme do të jenë në dispozicion edhe Cristian Shpendi dhe Enis Çokaj, duke e plotësuar grupin tërësisht.
Përgatitjet po zhvillohen në Malaga të Spanjës për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit më 4 shtator, ndërsa më 9 shtator kuqezinjtë do të përballen me Letoninë në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.
Federata Shqiptare e Futbollit njofton se biletat për këtë sfidë mund të blihen online në ebileta.al ose në biletarinë fizike në hyrjen qendrore të stadiumit.