Shqipëria forcon mbrojtjen ndaj armëve kimike
Shqipëria do të forcojë kontrollet kufitare, kapacitetet njerëzore e materiale, do të përmirësojë legjislacionin dhe rrisë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë për konsultim publik një strategji kombëtare, e cila parashikon rritjen e sigurisë kombëtare, duke parandaluar që Shqipëria të bëhet vend i kalimit, prodhimit, blerjes, apo zotërimit të armëve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.

Strategjia synon që të rrisë kapacitetet për kontrollin e kufijve dhe ndalimin e trafikimit të këtyre armëve, apo materialeve që përdoren për ndërtimin e tyre, ndërsa do të mbikëqyren edhe procedurat e transportit të mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, si dhe mallrave ushtarake. Gjithashtu, në mbikëqyrje do të jenë edhe transfertat financiare dhe aktivitetet e ndërmjetësimit të biznesit, të cilat mund të lidhen me përhapjen e armëve të tilla.
Ndërkohë, do të shtohen investimet në inteligjencë artificiale për të përmirësuar zbulimin e kërcënimeve. Asetet fizike, qendrat e të dhënave dhe infrastruktura kritike do të mbrohen më tepër ndaj rrezikut të armëve të shkatërrimit në masë.
Nga ana tjetër, strategjia parashikon edhe analizimin e rrugëve të mundshme të trafikut të armëve të dëmtimit në masë dhe materialeve për ndërtimin e tyre, teksa synohet që të rriten hetimet efikase në luftën kundër këtij krimi.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata gjeostrategjike e Shqipërisë, në udhëkryqin e lidhjeve me Evropën në tërësi dhe kontinentet e tjera, e ekspozojnë vendin tonë kundrejt trafikimit të armëve të shkatërrimit në masë, materialeve të para për prodhimin e tyre, si dhe sistemeve të shpërndarjes.
Kjo strategji do të mundësojë përmbushjen e detyrimeve që ka vendi ynë si anëtar i NATO-s, por edhe të harmonizojë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian. Hartimi i saj vjen në një kohë kur situata gjeopolitike ka ndryshuar dhe kërcënimet ndaj sigurisë janë më të mëdha se kurrë.