Zvicra nis kualifikimet e Botërorit ndaj Kosovës më 5 shtator

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp, ku ka zbuluar planet e Helvetikëve për kualifikimet e Kupës së Botës, të cilat do të nisin në muajin shtator. Ndeshja e parë për Zvicrën do të jetë pikërisht ndaj Kosovës, më 5 shtator në Basel.
Yakin u shpreh se presioni dhe pritshmëritë ndaj ekipit janë të mëdha, duke theksuar se Zvicra ka qenë gjithmonë pjesëmarrëse në turnetë përfundimtare. Ai e pranoi se kombëtarja e tij është favorite e grupit, ku bëjnë pjesë edhe Kosova, Suedia dhe Sllovenia.
“E meritojmë këtë epitet dhe e pranojmë”, deklaroi trajneri zviceran, duke shtuar se fillimi i kualifikimeve me dy ndeshje në shtëpi është vendimtar dhe nuk është koha për eksperimente. Lojtarët që do të aktivizohen në këto duele janë të njëjtët që ishin pjesë e skuadrës gjatë turneut në Amerikën e Veriut në qershor.