Rënie e ndjeshme e kërkesave për azil në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025

Kosova ka regjistruar një ulje të konsiderueshme të numrit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në periudhën janar-qershor janë dorëzuar vetëm 54 aplikime, krahasuar me 118 sa ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kërkesat për azil vijnë kryesisht nga shtetas të Sirisë, Jordanisë, Palestinës dhe Marokut. Aktualisht, në Kosovë ndodhen 42 persona që kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe 6 raste të kthimit në vendet e origjinës.
Nga MPB bëjnë të ditur se Qendra për Azil mbetet institucioni përgjegjës për pranimin, regjistrimin dhe akomodimin e aplikuesve. Atyre u ofrohen shërbime shëndetësore, ndihmë juridike dhe administrative, asistencë sociale e psikologjike, shujta ditore, veshmbathje, pako higjienike dhe ndihma të tjera fizike.