Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan: Fshihen muralet me përmbajtje nacionaliste dhe mesazhe urrejtjeje

Një numër i madh muralesh me përmbajtje fashiste, nacionaliste dhe mesazhe urrejtjeje janë fshirë ditët e fundit në qytetin e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.
Aksioni është kryer nga një kompani e kontraktuar nga komuna, në kuadër të iniciativës për largimin e grafiteve që nxisin përçarje ndërmjet komuniteteve, sidomos ndaj shqiptarëve.
Ndër muralet e fshira ishin edhe ato me mesazhe të hapura nacionaliste, si: “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”, si dhe përmbajtje me simbolikë fetare dhe politike.
Disa politikanë lokalë serbë kanë reaguar ndaj këtij veprimi, duke deklaruar se “kur të kthehemi në pushtet, do t’i kthejmë edhe muralet”.
Komuna nga ana e saj ka bërë të ditur se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim pastrimin e hapësirave publike nga çdo formë propagande që nxit urrejtje dhe përçarje ndërmjet komuniteteve.