Osmani: Kosova 97% gati për BE, por sfidë mbeten pesë shtetet mosnjohëse

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për transmetuesin polak TVP World gjatë Forumit në Alpbach, tha se Kosova është pothuajse e përgatitur për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
“Ne jemi 97 deri në 100 për qind gati për anëtarësim në BE”, deklaroi Osmani, duke theksuar se vështirësitë më të mëdha nuk lidhen me kriteret teknike, por me pengesat politike që burojnë nga fakti se pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ka shumë njerëz që janë të frustruar, por ne nuk e humbim durimin, përkundrazi do të punojmë më shumë”, u shpreh ajo.
Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se kriteret e BE-së shpesh nuk zbatohen njësoj për të gjitha vendet, duke përmendur Serbinë, e cila pavarësisht se nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, vazhdon procesin e negociatave për anëtarësim. Sipas Osmanit, Serbia mbetet “një shtet agresiv” që po ashtu kontribuon në pasigurinë rajonale.
Duke folur për ndikimin rus në Ballkan, ajo paralajmëroi se Moska synon të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, ndërsa theksoi se për Kosovën nuk është e lehtë të ketë “një fqinj mizor”. Megjithatë, Osmani nënvizoi se Kosova mbetet një vend i sigurt, pavarësisht sfidave dhe rreziqeve të imponuara nga jashtë.