Lajme

Diaspora shqiptare në fokus: Nga integrimi në Suedi te fuqia ekonomike në SHBA dhe Zvicër

Mbrëmë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova u diskutua për pozitën dhe rolin e mërgatës shqiptare në vende të ndryshme të botës, duke u ndalur tek dallimet e integrimit dhe sukseseve të tyre.

Mjeku shqiptar që jeton në Suedi, Rushit Arifi, tha se integrimi i shqiptarëve në këtë shtet është më i lehtë dhe se gjenerata e dytë e diasporës dallon nga ajo e vendeve të tjera.

“Bindja ime personale është se fëmijët që kanë lindur në Suedi e flasin gjuhën shqipe më mirë se fëmijët shqiptarë në vendet tjera. Kjo falë faktit që gjuha shqipe është lëndë shkollore në sistemin arsimor suedez, e cila llogaritet me poena për regjistrim në gjimnaz. Mësuesit e shqipes janë të integruar dhe të barabartë me suedezët”, theksoi Arifi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Amerikë, Naim Dedushaj, tha se shqiptarët në SHBA kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm në fushën e biznesit.

“Në Amerikë shqiptarët janë bërë superfuqi. Vetëm në New York, sidomos në Manhattan, shqiptarët kontrollojnë ndërtimin, patundshmërinë dhe gastronominë”, deklaroi Dedushaj.

Ndërsa publicisti Pal Shtufi, i cili jeton prej vitesh në Zvicër, foli për gjeneratën e re të shqiptarëve që kanë arritur pasuri të konsiderueshme.

“Nga përvoja ime me biznes, besoj se 3-4 mijë shqiptarë janë milionerë në Zvicër, e ndoshta edhe më shumë. Kryesisht janë të rinj që janë shkolluar plotësisht atje dhe që nuk bien në sy. Janë të qetë, të integruar e punëtorë”, u shpreh Shtufi.

Diskutimi nxori në pah dallimet e diasporës shqiptare në vende të ndryshme – nga integrimi arsimor në Suedi, fuqia ekonomike në SHBA, deri te pasuria e gjeneratës së re në Zvicër.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button