Izraeli jep miratimin final për projektin e vendbanimit në E1, që mund të shuajë shpresat për shtetin palestinez

Izraeli ka dhënë miratimin përfundimtar për projektin e shumëkundërshtuar të ndërtimit të një vendbanimi të ri për kolonët në zonën E1, në lindje të Jerusalemit, zhvillim që sipas palestinezëve dhe grupeve për të drejtat e njeriut, rrezikon të ndajë në dysh Bregun e pushtuar Perëndimor dhe të shuajë përfundimisht shpresat për krijimin e një shteti palestinez.
Plani përfshin ndërtimin e rreth 3.500 banesave që do të lidhen me koloninë ekzistuese Ma’ale Adumim. Projekti ka qenë në shqyrtim për mbi dy dekada, por ishte ngrirë më herët për shkak të presionit të Shteteve të Bashkuara.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, tha se miratimi i projektit është përgjigje ndaj nismave të disa shteteve perëndimore për njohjen e shtetit palestinez.
“Çdo vendbanim, çdo lagje, çdo njësi banimi është një gozhdë në arkivol të kësaj ideje të rrezikshme”, u shpreh ai.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka përsëritur kundërshtimin ndaj krijimit të një shteti palestinez dhe është zotuar se Izraeli do të mbajë nën kontroll Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.
Organizata Peace Now, që monitoron vendbanimet izraelite, paralajmëroi se ky projekt ka vetëm një qëllim: të sabotojë zgjidhjen me dy shtete.
“Qeveria izraelite po minon interesin kombëtar dhe ne të gjithë jemi duke e paguar çmimin për këtë”, thuhet në reagimin e saj.
Mbi 700 mijë kolonë izraelitë tashmë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Nëse procesi ecën me ritme të shpejta, ndërtimi i infrastrukturës në E1 mund të nisë brenda muajsh, ndërsa ndërtimi i shtëpive brenda një viti.