Lajme

Zjarret në Gramsh, disa vatra ende aktive; banorët fillojnë kthimin në shtëpi

Disa vatra zjarresh në Gramsh vijojnë të jenë aktive, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë intensivisht për shuarjen e tyre të plotë. Në njësinë administrative të Ermenjit, zjarri është vënë nën kontroll, duke lehtësuar situatën për banorët.

Kushtet atmosferike sot janë më të favorshme, pasi mungesa e erës ka ndihmuar punën e ekipeve në terren. Vatra aktive ka edhe në zonat e Kodovjatit dhe Skënderbegasit, ku po punohet për izolimin e plotë.

Banorët kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi rrugët janë të hapura dhe nuk përbëjnë rrezik. Paralelisht, po punohet për groposjen e bagëtive të djegura, me qëllim parandalimin e epidemive të mundshme.

Sipas të dhënave paraprake, rreth 40 shtëpi në fshatrat e Gramshit janë djegur dhe janë bërë të pabanueshme. Nga verifikimet në terren, raportohet se 50-60 bagëti dhe disa dhjetëra kafshë pune nuk kanë arritur të shpëtojnë nga flakët. Evidentimi i plotë i dëmeve vazhdon.

Autoritetet dhe ekipet emergjente apelojnë për kujdes dhe bashkëpunim të komunitetit deri në zhdukjen totale të flakëve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button