62-vjeçari arrestohet për zjarrvënie në Memaliaj, digjen 400 pemë frutore dhe 3 banesa

Një 62-vjeçar është arrestuar nga Policia si autori i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Iliras, Memaliaj, mëngjesin e sotëm. Flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, territorin e fshatit Koshtan, rreth 400 pemë frutore dhe 3 banesa të pabanuara.
Zjarri, i cili ra në vendin e quajtur “Hams”, u neutralizua falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe Stacionit të Policisë Memaliaj, në bashkëpunim me DVP Gjirokastër, DVP Fier dhe zjarrfikësit.
Autori i dyshuar, shtetasi B. L., banues në fshatin Iliras, u arrestua menjëherë pas identifikimit dhe ndaj tij u referuan materialet procedurale në Prokurorinë e Gjirokastrës për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Policia e Gjirokastrës apelon për kujdes maksimal dhe ndalon çdo zjarrvënie të qëllimshme, duke paralajmëruar pasoja penale për shkelësit. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.