KQZ: Sot afati i fundit për dorëzimin e listave për kandidatë për kryetarë komunash

Sot, më 13 gusht 2025, përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë të komunave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Afati skadon në orën 23:59 dhe, sipas KQZ-së, nuk ka mundësi shtyrjeje.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Gazeta Express se ky afat është i përcaktuar nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se aplikimet për certifikim duhet të dorëzohen 60 ditë para zgjedhjeve.
“Afati i fundit i vendosur nga KQZ, data 13 gusht 2025, ora 23:59, është në përputhje me ligjin dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet”, tha Elezi.
Ai shtoi se subjektet politike kanë të drejtë të vendosin në cilat komuna do të garojnë dhe nëse do të marrin pjesë vetëm në zgjedhjet për kryetar komune, vetëm për kuvend komunal apo për të dyja njëkohësisht.