Lajme

Dy persona arrestohen për zjarrvënie në luginën e lumit Vjosa dhe në Dushk

Dy persona janë arrestuar në flagrancë nga policia, pasi dyshohet se kanë vënë zjarr në zona të ndryshme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në pronë dhe mjedis.

Sipas njoftimeve të Policisë së Shtetit, specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan shtetasin Shezai Banaj, 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”. Banaj dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, në vendin e quajtur “Mezarak”, ku si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme toke, 300 pemë ulliri dhe bimësi e ndryshme e parkut kombëtar.

Ndërkohë, specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin Arjan Kaja, 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”. Ai dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në Dushk, ku si pasojë u dogj një sipërfaqe toke.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë në këto zjarrvënie.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button