FFK mban Kuvendin e Jashtëzakonshëm, miraton ndryshimet statutare në përputhje me UEFA-n, FIFA-n dhe Ligjin e ri të Sportit

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka zhvilluar sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku delegatët miratuan unanimisht një sërë ndryshimesh statutare, me qëllim harmonizimin e plotë me statutet e UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe me Ligjin e ri të Sportit të Republikës së Kosovës.
Në kuvend morën pjesë 50 delegatë, ndërsa një nga vendimet ishte zgjedhja e ish-portierit të Kombëtares, Samir Ujkani, si përfaqësues i futbollistëve në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, falënderoi delegatët për unitetin dhe bashkëpunimin e treguar. “Ky kuvend më jep ndjenjën se FFK është e fuqishme dhe futbolli është në duar të sigurta. Do të vazhdojmë bashkë në të mirë të futbollit,” tha ai.
Punimet e kuvendit u përshëndetën edhe nga përfaqësues të FIFA-s dhe UEFA-s. Marco Ferri, koordinator rajonal i FIFA-s, vlerësoi transparencën e FFK-së dhe bashkëpunimin e ngushtë për ndryshimet statutare, duke përgëzuar Kosovën për sukseset e fundit me Kombëtaren, përfshirë pesë fitoret radhazi dhe kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Në emër të UEFA-s, Jozef Klemen theksoi rëndësinë e unitetit në futboll dhe u shpreh i kënaqur me investimet infrastrukturore në Kosovë përmes fondeve të HatTrick-ut. Ai vlerësoi fitoren e Kosovës në play-off kundër Islandës dhe rolin e Vedat Muriqit si hero kombëtar.
Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të Agjencionit për Sport në MKRS, Fidan Shatri, theksoi rëndësinë e Ligjit të ri të Sportit dhe mbështetjen e vazhdueshme për organizatat sportive, duke garantuar monitorimin e ligjshmërisë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Kuvendi përfundoi me mesazhin e përbashkët për të vazhduar zhvillimin e futbollit kosovar në harmoni me rregullat ndërkombëtare dhe për të synuar pjesëmarrjen në garat më të mëdha.