KKSH denoncon diskriminimin në Bujanoc: Emërohen katër serbë në Administratën Tatimore, përjashtohen shqiptarët

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës ka reaguar ashpër ndaj vendimit për emërimin e katër personave nga komuniteti serb, përfshirë një nga Vranja, në Administratën Tatimore në Bujanoc – komunë ku shqiptarët përbëjnë rreth 63% të popullsisë.
Kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, e ka cilësuar këtë si një rast të qartë diskriminimi dhe përjashtimi të shqiptarëve nga jeta publike dhe institucionale. Ai tha se ky veprim tregon mosrespektim të Kushtetutës, ligjeve dhe marrëveshjeve të arritura, përfshirë Marrëveshjen e Konçulit, planin me 7 pika të vitit 2013 dhe Planin e integrimit të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në sektorin publik për periudhën 2023–2026.
Rexhepi paralajmëroi se kjo çështje do të adresohet edhe para faktorëve ndërkombëtarë, duke e cilësuar si një shembull të pastër të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Bujanoc.