Sport

Rodrygo drejt largimit nga Real Madridi – interes nga gjigantët e Premierligës

Real Madridi ende nuk e ka mbyllur “pazarin e verës” dhe një nga çështjet kryesore mbetet e ardhmja e sulmuesit brazilian Rodrygo.

24-vjeçari nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri, Xabi Alonso, për shkak të konkurrencës së madhe në repartin ofensiv dhe mospërshtatjes me skemat taktike të tij. Kjo situatë pritet ta shtyjë futbollistin të kërkojë një aventurë të re larg “Santiago Bernabeut”.

Në Evropë, interesimi për brazilianin është i madh, sidomos nga klubet e Premierligës. Sipas “Caughtoffside”, Liverpooli e sheh Rodrygon si alternativën e parë nëse nuk arrin ta transferojë Alexander Isak nga Newcastle. Arsenal gjithashtu është në garë, duke e konsideruar si Plan B në rast se dështon transferimi i Eberechi Eze nga Crystal Palace, por për ta bërë vend do të duhej të shiste një lojtar të krahut të majtë.

Tottenham ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit, pasi Son Heung-min është larguar drejt MLS-it. Ndërkohë, edhe Manchester City mban gjallë interesin e vjetër për Rodrygon, me Pep Guardiolën që dikur kishte tentuar transferimin e tij. Në teori është përmendur edhe një shkëmbim me Rodrin, megjithëse ky opsion nuk e entuziazmon klubin “Citizens”.

Real Madridi e vlerëson kartonin e brazilianit mes 90 dhe 100 milionë euro, dhe nuk përjashton shitjen nëse vjen një ofertë e majme. Nga Arabia Saudite, Al Nassr është gati të plotësojë kërkesën ekonomike, por vetë lojtari preferon të vazhdojë karrierën në Evropë.

Manchester United dhe Chelsea gjithashtu e kanë në listën e tyre, por për momentin nuk e shohin si prioritet kryesor.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button