Lajme

Shoferët me përvojë, shkaktarët kryesorë të aksidenteve në 2024

Aksidentet rrugore vijojnë të jenë një ndër problemet më shqetësuese për sigurinë publike në Shqipëri, me shifra në rritje për të plagosurit dhe viktimat gjatë vitit 2024. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, shumica e aksidenteve me pasoja të rënda shkaktohen nga shoferët me përvojë të gjatë në drejtim.

Në vitin 2024, drejtuesit e mjeteve me mbi 9 vjet përvojë shkaktuan 925 të plagosur, krahasuar me 632 në 2023, ndërsa numri i viktimave në këtë grup ra lehtë nga 82 në 2023 në 73 në 2024. Kjo kategori përfaqëson 44% të të plagosurve dhe 42% të viktimave nga të gjitha aksidentet.

Një tjetër kategori shqetësuese janë drejtuesit pa leje drejtimi, të cilët në vitin 2024 shkaktuan 99 të plagosur, një rritje prej 29% nga viti i kaluar. Numri i viktimave në këtë grup u rrit ndjeshëm, nga 12 në 2023 në 20 në 2024, çka përfaqëson një rritje prej 66.6%, duke sinjalizuar rrezik të shtuar nga drejtimi i paligjshëm i mjeteve.

Në grup-moshën me 0–3 vjet përvojë, që përfshin kryesisht drejtues të rinj dhe të mitur, u regjistruan 391 të plagosur në 2024, krahasuar me 284 në 2023. Edhe pse viktimat mbetën pothuaj të pandryshuara (35 në 2024 nga 36 në 2023), rritja e plagosjeve me 37% tregon mungesë përvoje dhe rrezik potencial.

Për kategorinë me 3–6 vjet përvojë drejtimi, u regjistruan 300 të plagosur në 2024 (nga 236 në 2023) dhe 18 viktima, një ulje nga 25 një vit më parë. Shoferët me 6–9 vjet përvojë shkaktuan 326 të plagosur dhe 24 viktima, krahasuar me 277 të plagosur dhe 34 viktima në 2023.

Rritje është shënuar edhe në numrin e rasteve kur drejtuesit largohen nga vendi i ngjarjes pas aksidentit. Në vitin 2024 u raportuan 39 të plagosur dhe 5 viktima, nga 33 të plagosur dhe 3 viktima në vitin paraardhës.

Të dhënat sinjalizojnë për një ulje të kontrollit policor në terren dhe nevojën për masa ndëshkuese më të ashpra, veçanërisht për drejtuesit pa leje dhe ata që largohen nga vendi i aksidentit.
Specialistët bëjnë thirrje për ndërgjegjësim të shtuar, edukim rrugor dhe përforcim të ligjit, në mënyrë që të parandalohet ky fenomen shqetësues që po prek sidomos grupmoshat e reja dhe po shkakton pasoja të rënda shëndetësore afatgjata.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button