Vazhdojnë aplikimet për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës – Afati përfundon më 29 gusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për verifikimin dhe ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Kjo periudhë ka nisur më 28 qershor dhe do të zgjasë deri më 29 gusht 2025.
Sipas të dhënave të fundit (e enjte, 7 gusht, ora 09:00), përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org janë pranuar gjithsej 1,748 aplikime për ndërrim të Qendrës së Votimit brenda komunës. Prej tyre, 1,581 janë aprovuar, ndërsa 167 janë refuzuar, kryesisht për shkak se aplikuesit nuk kanë bashkangjitur fotografinë e tyre duke mbajtur dokumentin identifikues.
KQZ thekson se ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda të njëjtës komunë është në diskrecionin e votuesve, në rastet kur dëshirojnë ta kenë atë më afër vendbanimit.
Qytetarët me të drejtë vote mund të bëjnë verifikimin dhe ndërrimin e Qendrës së Votimit përmes këtyre mënyrave:
Platforma elektronike e KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në komunën ku janë të regjistruar.
Ndërkaq, për ndërrimin e Qendrës së Votimit nga një komunë në një tjetër, votuesit duhet të bëjnë ndryshimin zyrtar të adresës përmes Zyrës së Gjendjes Civile ose në platformën E-Kosova. Vetëm pas konfirmimit të këtij ndryshimi nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re reflektohet në Regjistrin Qendror Civil dhe në platformën e KQZ-së.
Çdo ndryshim i adresës së banimit që bëhet deri më 29 gusht 2025 do të përfshihet në Listën Votuese për zgjedhjet lokale.