BE e quan dhunën policore në Kosovë “endemike” – rasti Agon Zejnullahu sjell kritika të ashpra

Mediumi evropian EURACTIV ka publikuar sot një artikull mbi gjendjen në Policinë e Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me përdorimin e tepruar të forcës nga ana e zyrtarëve policorë gjatë përmbushjes së detyrës.
Në këtë raport, theksohet se gjatë pesë viteve të fundit, Bashkimi Evropian ka investuar 3 milionë euro në ndihmë financiare dhe 1.5 milionë euro në trajnim për Policinë e Kosovës, përveç mbështetjes së dhënë përmes misionit të saj për sundimin e ligjit, EULEX.
Një zyrtar i lartë i BE-së, i cituar nga EURACTIV, e ka përshkruar dhunën policore në Kosovë si “endemike”. Këto komente vijnë në një kohë kur janë rritur rastet e suspendimeve të policëve për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të forcës.
Rasti më i fundit që ka nxitur reagime është ai i Agon Zejnullahut, për të cilin pesë zyrtarë policorë janë të dyshuar për “vrasje nga pakujdesia”.
Sipas EURACTIV, akuzat në rritje për abuzime nga ana e policisë kosovare po ndikojnë negativisht në qëndrimin e BE-së si një nga financuesit dhe mbështetësit kryesorë të këtij institucioni në Kosovë.
“Akuzat në rritje për abuzim policor në Kosovë po ngrenë pyetje të pakëndshme për Bashkimin Evropian, financuesin dhe mbështetësin kryesor të forcës policore të vendit”, shkruan ky medium.