Sport

City i blindon mesfushën: Rodri në qendër të projektit afatgjatë

Manchester City e ka vënë në krye të listës së prioriteteve vazhdimin e kontratës me mesfushorin spanjoll, Rodri Hernandez, i cili aktualisht është i lidhur me klubin deri në qershor të vitit 2027.

Forma e jashtëzakonshme e Rodrit dhe rëndësia e tij në sistemin e Pep Guardiolës kanë ngjallur interesimin e Real Madridit, që prej kohësh po monitoron nga afër situatën e tij. Sipas mediave spanjolle, “Los Blancos” janë të gatshëm të përfitojnë nga çdo pasiguri që mund të krijohet rreth Cityt, për shkak të 115 pikave të akuzave që rëndojnë mbi klubin nga Premierliga.

Për të shmangur çdo skenar të tillë, “Qytetarët” po përgatiten t’i ofrojnë Rodrit një kontratë të re afatgjate dhe tejet të favorshme. Sipas burimeve nga shtypi anglez, marrëveshja e re do ta mbante spanjollin në “Etihad” deri në vitin 2029, me një pagë javore prej 180 mijë funtesh, e cila mund të arrijë deri në 300 mijë, në varësi të bonuseve. Me këtë pagë, ai do të ishte lojtari i dytë më i paguar te City, pas Erling Haaland, i cili përfiton 500 mijë funte në javë.

Rodri shihet si një element i pazëvendësueshëm për Guardiolën dhe drejtuesit e klubit, të cilët e krahasojnë rëndësinë e tij me atë të Haalandit. Mungesa e tij për shkak të një lëndimi të rëndë sezonin e kaluar ndikoi dukshëm në performancën e ekipit, që pati një sezon nën pritshmëri.

Për Cityn, bindja e Rodrit për të qëndruar do të thotë forcim i zemrës së mesfushës dhe garantim i stabilitetit në fazën organizative të lojës. Klubi nuk dëshiron ta rrezikojë humbjen e një prej lojtarëve më kyç, veçanërisht në favor të një rivali të drejtpërdrejtë në garën për trofe, siç është Real Madridi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button