Kristjan Asllani, mjeshtër i penalltive: 11 goditje, 11 gola – sërish i saktë në miqësoren e Interit

Kristjan Asllani po vazhdon të tregojë saktësinë e tij të rrallë nga pika e bardhë, duke dëshmuar edhe një herë se është një nga specialistët më të sigurt të penalltive në futbollin shqiptar. Mesfushori i kombëtares shqiptare ishte titullar në miqësoren verore që Interi e fitoi me rezultatin 7-2 ndaj ekipit U23 të klubit, ku shënoi sërish nga penalltia për rezultatin e përkohshëm 3-2.
Ky ishte penalltia e 11-të në karrierën e tij dhe sërish, topi përfundoi në rrjetë. Veçantia e Asllanit qëndron në stilin e tij konstant dhe të pandryshueshëm: goditje me të djathtën, zakonisht të forta, të ulëta dhe të pozicionuara në këndin e portës – kryesisht në të majtë të portierit.
Karriera e tij si ekzekutues penalltish nisi në shtator të vitit 2018 me ekipin U17 të Empolit në një fitore kundër Sassuolos. Më pas, shënoi kundër Fiorentinës dhe dy herë ndaj Juventusit, gjithnjë në nivelin e të rinjve. Në Championsin për të rinj me ekipin e Shpresave të Empolit realizoi dy penallti të tjera kundër Crvena Zvezdës dhe Domzhales.
Asllani shënoi edhe me fanellën kuqezi, në fitoren 2-0 ndaj Bullgarisë në nëntor të vitit 2022 në “Air Albania”. Ndërsa me Interin, përveç penalltisë së fundit në miqësore, ai ka shënuar në Serinë A kundër Veronës dhe Torinos, duke e çuar totalin në 11 gola nga pika e bardhë – të gjitha të realizuara.
Pavarësisht spekulimeve për të ardhmen e tij, një gjë mbetet e qartë: detyrën e tij në fushë e bën deri në fund – dhe penalltitë janë arma e tij më e fortë.