Musliu-Shoshi: FSK-ja nuk është e Albin Kurtit, mos e përdorni për teatër politik

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë pas dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ujman, ku u nxor trupi i pajetë i një 33-vjeçari. Reagimi i saj vjen pas deklarimeve të djeshme të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për këtë operacion.
Musliu-Shoshi akuzon qeverinë aktuale se po përdor FSK-në për qëllime propagandistike, ndonëse, sipas saj, më parë i kishte mohuar ushqimin dhe dinjitetin kësaj force.
“FSK-ja nuk është e Albin Kurtit. Ajo është forcë e qytetarëve të Kosovës, e ndërtuar me përkushtim, me standarde të NATO-s dhe me respekt për shtetin dhe qytetarin”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e PDK-së u shpreh se FSK-ja është simbol i sigurisë dhe jo “dekor për shfaqjet boshe të pushtetit”. Ajo e akuzoi kryeministrin në detyrë se po e përdor këtë institucion edhe në momente tragjike, siç ishte rasti në veri.
“Kur institucionet përdhosen nga dora e qeverisë për interesa personale e politike, shteti vdes pak nga pak. Mjaft më me turpërimin e institucioneve!”, theksoi Musliu-Shoshi.
Në fund të reagimit të saj, ajo u shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimës, duke thënë se bashkëndjen me dhimbjen e tyre.