Dronët Bayraktar TB2 patrullojnë mbi vatrat e zjarrit në Shqipëri – përparësi zonat e banuara

Përballë temperaturave ekstreme dhe rrezikut të lartë nga zjarret, Shqipëria ka vendosur në veprim dronët e avancuar Bayraktar TB2 të Forcave Ajrore për të monitoruar dhe vlerësuar situatën në terren.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se që në orët e para të mëngjesit janë realizuar mbifluturime mbi 18 vatra aktive zjarri në territorin shqiptar. “Që në orët e para të mëngjesit, dronët Bayraktar TB2 të Forcave Ajrore kanë realizuar mbifluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut,” deklaroi ministri përmes një postimi zyrtar.
Ai theksoi se ekipezhet dhe efektivët janë në terren në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, duke vënë theksin tek mbrojtja e zonave të banuara.
“Ekuipazhet dhe efektivët tanë në terren janë në gatishmëri për të ndërhyrë kudo në territorin shqiptar, me përparësi në zonat e banuara,” shtoi ai.
Ky angazhim vjen në një moment kur vendi po përjeton një valë të nxehti me temperatura që në disa zona kanë kapërcyer 40°C, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve në pyje dhe sipërfaqe të tjera të gjelbërta.