Kosova

Haradinaj kritikon vendimin e vonuar të Kushtetueses: “Ndërhyrja mund të ketë ardhur tepër vonë”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për caktimin e masës së përkohshme, duke e quajtur atë të vonuar dhe të pamjaftueshëm për të parandaluar krizën kushtetuese në vend.

Para seancës së fundit konstituive të Kuvendit që pritet të mbahet sot në orën 14:00, Haradinaj tha se AAK kishte kërkuar këtë masë që në padinë e saj të parë, por Gjykata nuk kishte vepruar atëherë, ndonëse kushtet ishin të njëjta.

“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se gjendja aktuale në vend përbën rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit. Pikërisht këtë e kishte theksuar edhe AAK në kërkesën e saj të parë drejtuar Gjykatës”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Gjykata atëherë nuk e kishte shqiptuar masën e përkohshme, duke përmendur se në aktgjykimin aktual, vetë Kushtetuesja konstaton se situata është e rrezikshme për rendin kushtetues.

“Kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend. Sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë”, deklaroi kreu i AAK-së.

Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është distancuar nga masa e përkohshme e vendosur nga Kushtetuesja, duke sqaruar se partia e tij nuk e kishte kërkuar atë në padinë e dorëzuar bashkë me LDK-në.

“Ne s’e kemi kërkuar atë masë, por është në të drejtën e tyre. Ndoshta ka një arsye që do ta kuptojmë kur të publikohet aktgjykimi final. Por vendimet e Kushtetueses s’janë tavolinë suedeze – jemi të obliguar t’i zbatojmë”, deklaroi Krasniqi të premten.

Afati i vendosur nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit, ndërsa vendi gjendet në një nga momentet më të tensionuara kushtetuese të viteve të fundit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button