Kosova

Krasniqi i emocionuar pas intervistës së Thaçit: “Edhe pas pesë vitesh paraburgim, dha vizion dhe dashuri për Kosovën”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar me emocione pas intervistës së fundit të ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilën e cilësoi si një mesazh të fuqishëm politik dhe atdhetar.

“Edhe pas pesë vitesh në paraburgim, Thaçi tregoi dashuri të madhe për vendin dhe vizion të qartë politik,” tha Krasniqi, duke shtuar se intervista kishte një ndikim të veçantë për të dhe për opinionin publik në Kosovë.

Kreu i PDK-së tha se shumë nga fjalët e Thaçit i kishte dëgjuar edhe në vizitat që i kanë bërë në Hagë, por ajo që e veçoi këtë intervistë ishte qartësia dhe mençuria politike që ai shfaqi, pavarësisht mungesës fizike në skenën politike.

“Ka qenë emocionuese me i dëgju me zë të tjetër kujt fjalët e presidentit Thaçi. Ai dha shumë dashuri për Kosovën dhe qytetarët, shpërfaqi një vizion krejtësisht racional dhe të mençur politikisht për çfarë duhet të bëjë Kosova sot,” tha Krasniqi.

Ai shtoi se këshillat e Thaçit, sidomos ato që lidhen me pozicionin e Kosovës në ndryshimet gjeopolitike globale, duhet të merren me shumë seriozitet nga të gjithë politikanët në vend.

“Shpresoj që qytetarët ta kenë parë dhe ta kenë vlerësuar sinqeritetin e jashtëzakonshëm të kësaj interviste,” përfundoi ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button